Conte: Eksperienca nuk më lejon të bie në lojërat e Mourinhos

13/02/2017 00:00

Antonio Conte e konsideron veten si një trajner me shumë eksperiencë, saqë nuk mund të bjerë në nivelin e lojërave të fjalëve me Jose Mourinhon, pasi ky i fundit “akuzoi” Chelsean se po i fitonte ndeshjet me një futboll të fokusuar më së shumti në mbrojtje.

Mourinho i bëri një kompliment “ironik” ish-ekipit të tij pas fitores 2-0 të Manchester United ndaj Watfordit ditën e shtunë, duke thënë se londinezët e Chelseat do të fitonin titullin kampion në “Premier League” për shkak se është një ekip “shumë i mirë në mbrojtje”, që ka pasur suksese deri më tani me “golat me kundërsulm dhe nga goditjet standarde”.

Por, pasi pa ekipin e tij të ndalej në barazim 1-1 nga Burnley në “Turf Moor” të dielën, tekniku italian Conte dukej jo i gatshëm t’u përgjigjej deklaratave të “Special One”.

“Nuk më pëlqen të replikoj më trajnerët e tjerë”, këmbënguli Conte, kur u pyet në lidhje me komentet e Mourinhos. “Nuk më pëlqen kjo lloj shakaje. Ai po luan, ndërsa unë kam eksperiencë të mjaftueshme për ta kuptuar këtë”.

Chelsea e rriti më tej kryesimin në “Premier League” me 10 pikë, pavarësisht se barazuan të dielën, i treti në këtë sezon, ndërkohë që Manchester City ka mundësinë mbrëmjen e kësaj të hëne që ta ngushtojë distancën në 8 pikë, nëse arrin të mposhtë Bournemouth në “Vitality Stadium”.

“Nëse dikush mendon se ky kampionat ka mbaruar, unë mund të them me bindje se jo”, tha Conte. “Janë 6 ekipe në garë për të fituar titullin, ndaj dhe gjithçka mund të ndodhë. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë siç kemi bërë deri më tani, e të përpiqemi të gjejmë rrugën drejt fitores ashtu siç bëmë edhe ndaj Burnleyt”, theksoi Conte, pavarësisht se me kundërshtarin e fundit nuk ia doli.

“Jam i zhgënjyer, sepse mentaliteti ynë është të përpiqemi gjithmonë të fitojmë. U përpoqëm edhe kësaj radhe, por ndonjëherë duhet të kuptojmë se ka edhe ndeshje të vështira. Ajo ndaj Burnleyt ishte tejet e vështirë. Jam i zhgënjyer për pikët, por jo për angazhimin që treguam në fushë. Mua më pëlqen të fitoj dhe të marr gjithnjë 3 pikët”.

Top Channel