Zgjedhjet, PS ftesë PD: Jo gjyqtarë e prokurorë në lista pa vetting

13/02/2017 12:15

Gjyqtarët e prokurorët që nuk e kanë kaluar procesin e vetting-ut, ata që ende nuk e kanë përfunduar atë apo që janë dorëhequr, nuk duhet të kandidohen në zgjedhjet e 18 qershorit.

Ky është propozimi që vjen nga socialistët në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ndonëse nuk është pjesë e 53 rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it.

Ky është propozimi që bëri socialisti Taulant Balla në emër të grupit parlamentar socialist. Balla theksoi se “ne propozojme që do të konsiderohen në detyre ata që pavarësisht dorëheqjes, nuk i janë nënshtruar procesit të deklarimit”.

“Propozimi që do të depozitojmë sot ka të bëjë me një shtesë në Kodin Zgjedhor që parandalon përfshirjen në listat e kandidatëve ata që nuk e kanë bërë vetting-un ose që procesi i vlerësimit nuk ka përfunduar”, tha Balla.

“Meqenëse Kuvendi ka miratuar ligjin që personat me rekorde kriminale mos të hyjnë në lista, as prokurorë e gjyqtarë që nuk kanë kaluar vetting-un, nuk do përfshihen. Ne synojmë që ky propozim të diskutohet në komision, por nëse PD-ja vazhdon ta bojkotojë komisionin, ne do ta depozitojmë në rrugët që përcakton rregullorja e Kuvendit për amendamentet ligjore”, shtoi Balla.

Top Channel