Aksidenti i Vettelit në “Fiorano”, Ferrari anulon testimet e gomave “Pirelli”

13/02/2017 00:00

Ferrari është detyruar të anulojë një testim të gomave “Pirelli” për pistë të lagur, pas përplasjes së rëndë të Sebastian Vettel në “Fiorano” gjatë së enjtes, me gjermanin 4 herë kampion bote që kishte zhvilluar rreth 40 xhiro deri në atë moment.

Kompania e gomave “Pirelli” tha se aksidenti kishte ardhur thjesht si pasojë e “humbjes së kontrollit” nga piloti gjerman i “kokëkuqes”, ndërsa Vettel nuk jep detaje mbi atë se çfarë ndodhi, duke u mjaftuar vetëm me faktin se “ndihej mirë” dhe se “nuk kishte pësuar dëmtime”. Megjithatë, njëvendëshja e tij, një model i 2015-s i modifikuar për të simuluar nivelet e reja të forcës shtytëse për vitin 2017, ishte dëmtuar mjaftueshëm sa për të mos vazhduar më tej me testimet.

Kjo bëri që të dështonte edhe plani i pilotit rezervë të Ferrarit, Antonio Giovinazzi, i cili priste të shijonte për herë të parë një makinë të Formulës 1 ditën e premte, por gjithçka u anulua.

Zëdhënësi i “Pirelli”-t tha se kompania po vlerësonte teknologjitë e mundshme për sezonin e vitit 2018, përfshi këtu modelet e reja të sipërfaqes së gomave dhe përbërjen e tyre.

Përplasja e Vettelit erdhi në xhiron e parë të rikthimit në pistë pas një pushimi dreke. Moti ishte i ftohtë me temperatura 4 gradë Celsius, ndërkohë që dyshohet se mosarritja e temperaturës së duhur nga gomat mund të ketë qenë një faktor ndikues në aksident.

Top Channel