SHBA, evakuohen mbi 180 mijë vetë të rrezikuar nga diga

13/02/2017 00:00

Rreziku i çarjes së digës më të lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka detyruar autoritetet të kërkojnë evakuimin e më shumë se 180 mijë personave.

Një tejmbushje e kanalit të shkarkimit për shkak të reshjeve të dendura të ditëve të fundit rrezikon kolapsin e digës së Oroville në Kaliforninë Veriore. Niveli i ujit në rezervuar u rrit ndjeshëm në vazhdën jo vetëm të shiut, por edhe dëborës që pasoi vite të tëra thatësire ekstreme.

“Nuk mund të rrezikonim jetët e mijëra njerëzve, ndaj u kërkua largimi i tyre. Më mirë të jenë të sigurtë, sesa të keqardhur. Preferoj që njerëzit të largohen nga zona e rrezikut, ndërkohë që mundohemi të gjejmë një zgjidhje”, tha Kory Honea, sherif.

Kjo është hera e parë që diga në liqenin Oroville bëhet shkak për një emergjencë të tillë gjatë 50 viteve të historisë së saj. Departamentit i Burimeve Ujore në Kaliforni është përpjekur të lëshojë 2.830 metra kub ujë në sekondë nga kanali kryesor i shkarkimit, në përpjekje për të lehtësuar trysninë.

Tri herë ua përsëriti sherifi i zonës banorëve të prekur se nuk bëhet fjalë “thjesht për një stërvitje”. Presioni i ujit hapi një të çarë në strukturë, të cilën zyrtarët lokalë planifikojnë ta mbyllin duke hedhur thasë rëre me helikopterë.

Banorët e Oroville, një qytezë ku jetojnë rreth 16 mijë vetë, u këshilluan të lëvizin drejt veriut. Por disa prej të evakuuarve u ankuan se paralajmërimet erdhën vonë. Hotelet në zonën përreth janë prenotuar që të gjitha dhe autoritetet po diskutojnë hapjen e qendrave të emergjencës.

Top Channel