Gërmimet ilegale në “Apoloni”, ndalohet përgjegjësi i ruajtjes së parkut

13/02/2017 08:35

Policia e Fierit ka ndaluar përgjegjësin e Sektorit të Ruajtjes e Administrimit të Parkut Arkeologjik të Apolonisë si dhe ka proceduar penalisht drejtorin dhe një punonjës të Parkut të Apolonisë, me akuzën e mosmarrjes së masave për ruajtjen e veprave të artit e kulturës në Apoloni.

Në kuadër të operacionit “Apolonia” u ndalua shtetasi Arjan Dimo, 43 vjeç, banues në fshatin Pojan të Fierit. Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit M.H., 47 vjeç, banues në lagjen “21 Dhjetori”, Tiranë (drejtor i Parkut Arkeologjik të Apolonisë) dhe Q.T., 66 vjeç, banues në fshatin Radostinë të Fierit (punonjës në Parkun Arkeologjik të Apolonisë).

Këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masa për parandalimin, ruajtjen dhe sigurimin e veprave të artit e kulturës në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, duke lejuar që disa shtetas, nëpërmjet gërmimit të kundraligjshëm në Parkun Arkeologjik, të vidhnin një sasi të konsiderueshme të vlerave arkeologjike me rëndësi për identitetin e trashëgimisë kulturore.

Top Channel