Rivlerësimi i pasurive, shteti fiton 15 milionë euro

12/02/2017 00:00

Ligji për rivlerësimin e pasurive të patundshme ka rezultuar një biznes i mirë, jo vetëm për qytetarët, por edhe për qeverinë. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se vetëm nga taksa e rivlerësimit të pronave, buxheti i shtetit ka përfituar 2.1 miliardë lekë ose 15 milionë euro, nga 1 shtatori deri në 15 janar. 

Por të ardhurat totale nga kjo taksë pritet të jenë më të larta se kjo shifër. Qeveria vendosi ta shtyjë afatin e ligjit, që u mundëson qytetarëve të rivlerësojnë pronat me taksa të zbutura, vetëm 2 për qind të vlerës, nga 15 për qind që është normalisht.
 
Afati fillestar përfundonte në fund të këtij muaji, por përmes një drafti të ri që ka dorëzuar në parlament, qeveria ka vendosur ta shtyjë afatin deri në datën 31 maj.
 
Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, kjo do të sjellë edhe 1.4 miliardë lekë të ardhura të tjera në buxhet, duke e çuar përfitimin total të qeverisë nga kjo taksë rreth 3.5 miliardë lekë ose rreth 25 milionë euro.
 
Në 5 vitet e fundit, qeveria ka mbledhur mesatarisht 2.5 miliardë lekë në vit nga taksa e pronës. Kjo do të thotë se vetëm përmes rivlerërsimit në disa muaj qeveria ka arritur të arkëtojë 50 për qind më shumë nga të ardhurat vjetore të kësaj takse.

Top Channel