Rama mbron policinë: Grabitja me ndihmë nga brenda bankës

12/02/2017 00:00

“Hetimet e kanë provuar katërcipërisht, rast pas rasti, se policia jo vetëm nuk ka kurrfarë gishti në grabitjen e bankave, siç akuzojnë në kor zullumqarët, por ka kërkuar nga banka dhe Rinasi, marrjen e masave për sigurimin e tyre”, u shpreh Rama, në nisje të komunikimit javor.

Në kushtet e indiferentizmit total nga ana e bankës dhe policisë private që shoqëronte shumat e parave, kryeminstri Rama thotë se ndërhyrja e policisë ishte e pamundur.
 
“Jo vetëm lajmërimi i policisë është bërë vonë, shumë vonë, por edhe niveli i rojeve të policisë private, standardet e automjeteve, sigurimi i gjurmueshmërisë së kasave, shtypja e butonit të alarmit nuk rezultojnë të jenë mbajtur parasysh, a ka mundësi që një mendje normale ta kuptojë se si në këto kushte indiferentizmi, të fajësohet policia e shtetit?”, tha Rama për grabitjen e ditës së enjte.

Ata që sulmojnë policinë e shtetit sipas kryeministrit janë ata që sulmojnë vettingun e gjykatësve dhe prokurorëve.
 
“Janë po ata që sulmojnë reformën në drejtësi që kanë tmerr nga pastrimi I pallatit të drejtësisë dhe vendosja e një drejtësie të re. S’ka diskutim që edhe afrimi I zgjedhjeve do ta cojë në një nivel të ri tërbimin ndaj policisë së shtetit dhe qeverisë, por nuk do na ndalojnë në rrugën e reformave për të rilindur Shqipërinë”, u shpreh kryeministri Rama.

Top Channel