NBA, Golden State mposht Oklahomën

12/02/2017 00:00

Golden State Warriors i imponohet Oklahoma City Thunder në ndeshjen e radhës në NBA.

Në “Chesapeake Energy Arena”, Warriors e mbylli sfidën me Thunder me rezultatin 130-114, ku ironia e fatit deshi që të ishte Kevin Durant protagonisti i sfidës. Ish-basketbollisti i Oklahomës shënoi 34 pikë në këtë ndeshje, ku u prit mes vërshëllimave të shumta të tifozëve të Thunder. Por, mbrëmja e tij u pasurua edhe me një debat me Russell Westbrook në periodën e tretë, debat të cilin arbitri i sfidës e mbylli duke u dhënë të dyve nga një faull teknik.

Përsa i përket sfidës, ajo u dominua totalisht nga Golden State, që i mbylli llogaritë që në fundin e pjesës së parë. Te Warriors, përveç Durant, spikatën edhe Curry e Thompson, me nga 26 pikë secili, ndërkohë që te Oklahoma i zakonshmi Westbrook shënoi 47 pikë, por që nuk patën shumë vlerë.

Për Cleveland Cavaliers muaji shkurt po rezulton vërtet shumë i mirë. Kampionët në fuqi të NBA mposhtën Denver Nuggets me rezultatin 125-109, duke regjistruar suksesin e 5 në 6 ndeshjet e zhvilluara këtë muaj. Për Cavaliers, Kyrie Irving e LeBron James shënuan nga 27 pikë secili, me “The King” që shtoi në statistikat e tij edhe 12 asist, ndërkohë që Denver ndjeu mungesat e Gallinari dhe Faried.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Philadelphia ndal serinë e 13 fitoreve radhazi të Miami, teksa e mposhti 117-019, Ndërsa Houston shënoi fitoren e 40 sezonale pas suksesit me Phoenix 133-102.

Top Channel