Imitimi i Trumpit nga Baldwin fut në kurth gazetën nga Rep. Domenikane

12/02/2017 00:00

Prej muajsh, aktori amerikan Alec Baldwin ka tërhequr mjaft publik, duke imituar presidentin amerikan Donald Trump në shfaqjen “Saturday Night Live”.

Duket se aktrimi i tij është vërtet për t’u pasur zili, pasi ka nga ata që e ngatërrojnë me presidentin. Kjo i ka ndodhur gazetës “El Nacional” në Republikën Domenikane, e cila mendoi se Baldwin ishte Trump dhe botoi një foto të aktorit në rolin e tij pranë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.

Në artikull flitej për kolonitë izraelite dhe mbështetjen e perceptuar të Trumpit për to. Menjëherë pas publikimit të fotos së Baldwin në “El Nacional”, një furtunë talljesh shpërthyen në rrjet ndaj gazetës, por njëkohësisht edhe shumë përgëzime për Baldwin dhe imitimin e tij.

Drejtuesit e “El Nacional” nxituan të kërkojnë falje sapo kuptuan gabimin. Sipas tyre, askush në sektorin përgjegjës për printimin nuk e kishte kuptuar se fotoja ishte ngatërruar. Vet Trump nuk është një fans i shfaqjes së Baldwin dhe thotë se aktrimi i tij është shumë i dobët, por duket se “El Nacional” ka vërtetuar të kundërtën.

Top Channel