Zvicër, referendum për të lehtësuar rregullat e nënshtetësisë

12/02/2017 00:00

Zviceranët u janë drejtuar mëngjesin e kësaj të diele kutive të votimit, teksa përmes votës do të vendosin nëse do të lehtësohen apo jo rregullat strikte të vendit mbi nënshtetësinë.

Të jesh i lindur në Zvicër nuk të garanton automatikisht nënshtetësinë e këtij vendi, ndërsa rezidentët jozviceranë duhet të presin zakonisht deri në 12 vite përpara se të aplikojnë për shtetësinë zvicerane.

Veç referendumit popullor, testime dhe anketime të tjera qeveritare janë të domosdoshme për këtë çështje, të cilat mund të rezultojnë si tejet shpenzuese.

Propozimi i ri do t’u lejojë emigrantëve të gjeneratës së tretë të shmangin një pjesë të mirë të aspekteve burokratike. Ai do të prekë drejtpërdrejt të lindurit në Zvicër, prindërit dhe gjyshërit e të cilëve jetojnë prej kohësh gjithashtu në këtë vend.

Mbështetësit e planit për të lehtësuar procesin argumentojnë se është qesharake ta pyesësh një njeri, që është lindur dhe ka jetuar gjithë jetën e tij në Zvicër, të provojë se është integruar në shoqërinë zvicerane.

Gjithsesi, kundërshtarët e këtij propozimi thonë se një masë e tillë do të çojë në hapa të tjerë, që do t’u lejojnë eventualisht rezidentëve jozviceranë, të cilët përbëjnë rreth 25% të popullsisë, të pajisen me pasaportën zvicerane. Një poster i kundërshtarëve të tij, ku shfaqet një grua me “burka”, tregon se propozimi i ri mund të çojë në të ashtuquajturin “islamizim” të vendit.

Top Channel