Kukësi mund Tiranën në shtëpi, Skënderbeu i dyti

11/02/2017 00:00

Tirana është mundur nga Kukësi në ndeshjen e javës së 21-të të Superiores, duke lënë një shije të hidhur te tifozët, edhe pse shumë të paktë në stadium për të mos thënë aspak, për një humbje të paralajmëruar.

Kukësi thuajse nuk luajti në pjesën e parë, ku pësoi një gol nga bardheblutë, ndërsa e anasjellta ndodhi në pjesën e dytë, kur Kukësi dominoi në çdo pjesë të fushës, krijoi disa raste, kurse Tirana me djem të rinj ia bën jo pak të vështirë Kukësit arritjen e objektivit.

Por nëse Pejiç gaboi disa herë, Emini përmbushi misionin me golin e dytë, duke shënuar atë të 3-pikëshit. Një fitore që gjithsesi solli vuajtje e presion për trajnerin Gjoka.

Ndërkohë, presidenti Gjici mohon aleancën me Tiranën, duke shprehur bindjen se do ta eliminojë edhe nga Kupa e Shqipërisë.

Si për ironi e për të konfirmuar momentin e vështirë, për herë të parë trajneri Josa nuk kishte asgjë për të thënë për mediet pas kësaj humbjeje, duke refuzuar të përballet me gazetarët për një ndeshje me kaq pikëpyetje, e kaq të përfolur.

Në ndeshjet e tjera të së shtunës, Skënderbeu i rrëmbeu vendin e dytë Partizanit pas fitores me Laçin në Korçë me rezultatin e ngushtë 1-0. Ai që vendosi fatin e sfidës për kampionët e vendit ishte Hamdi Salihi që shënoi golin e fitores në minutën e 21 pas një pasimi të Sabien Lilaj me Skënderbeun që shkoi në kuotën e 41 pikëve, 4 më pak se Kukësi kryesues.

Vllaznia dhe Flamurtari nuk zhgënjyen në përballjen mes tyre të luajtur në “Loro Boriçi”. Ajo që doli e fituar në këtë sfidë ishte pikërisht skuadra e drejtuar nga Armando Cungu me rezultatin 3-2 në një ndeshje ku minutat e fundit ishin vërtet spektakolare.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Flamurtarit 1-0 pas golit të Bushiç. Por Vllaznia shënoi 2 herë në 13 minutat e fundit teksa shënuan Hebaj e Bakaj për të marrë kryesimin 2-1. Bushiç ndëshkoi sërish shkodranët teksa barazoi 2-2, një ekuilibër që zgjati shumë pak pasi Pjeshka i dha fitoren skuadrës së Cungut duke shënuar golin e tretë te takimit.

Top Channel