Arsimi profesional, Klosi viziton shkollën “Hysni Çela” në Durrës

11/02/2017 00:00

Në shkollën “Hysen Çela” në Durrës, sikurse në shumë shkolla të tjera profesionale, mësimi është zhvilluar vetëm nga ana teorike, ndërsa me miratimin e ligjit të ri të arsimit profesional, 50% e mësimit do të jetë praktikë në laboratore dhe biznese. Projektligji i ri parashikon gjithashtu autonomi financiare.

“Transferimi i shkollave tona në qendra multifunksionale, të cilat mund t’i menaxhojnë vetë burimet financiare, do të shënojë një hap krejtësisht cilësor në transformimin e arsimit tonë profesional, nga një edukim në një mekanizëm ekonomik që mund të ndryshojë jetën e shumë qytetarëve të vendit tonë. Me ligjin e ri ju mund të shisni, të fitoni të ardhurat, me të ardhurat të investohet më shumë në bazë prodhuese dhe mësuesit do të paguhen më shumë”, deklaroi ministri Klosi gjatë një vizite në këtë shkollë.

Në shkollën “Hysen Çela” është hapur për herë të parë dega e detarisë, që është kthyer në profilin më të kërkuar për nxënësit e vitit të parë.

“Ajo që ne do të kërkojmë në vitin 2017 dhe në vazhdim pas miratimit të ligjit për arsimin profesional është që qendra të tilla si shkolla “Hysen Çela” të jenë qendra trajnimi jo vetëm për nxënësit por edhe për të gjithë ata që duan që në profilin e marinarit dhe të gjitha zanatet që kanë lidhje me detin të jenë të kualifikuar, të profesionalizuar dhe natyrisht të mirëpaguar”, tha Klosi.

Ditën e shtunë, ministri Klosi inauguroi 5 laboratorë të kësaj shkolle, një investim që kap vlerën e 150 milionë dollarëve.

Top Channel