Azilkërkuesit dhe krimi, zv.ministrja Gjebrea në Londër

11/02/2017 00:00

Një ditë pas lajmit të gazetës “The Guardian” se, shqiptarët janë ndër shtetasit e parë të huaj që kanë mbërritur ilegalisht në Britani për të kërkuar azil, apo për të qëndruar ilegalisht, në Londër ka mbërritur zv.ministrja e Brendshme e Shqipërisë, Elona Gjebrea.

Në takimet e zhvilluara, homolgët e zyrtares shqiptare kanë kërkuar thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror kundër trafikimit dhe krimit të organizuar.

Sipas burimeve diplomatike, në takimet në Home Office me zv.ministrin britanik të Policisë, Brandon Lewis dhe Sarah Newton janë shkëmbyer informacione lidhur me strukturat respektive që trajtojnë çështjet e trafikimit dhe krimit të organizuar.

Mes Britanisë dhe Shqipërisë ekziston një memorandum bashkëpunimi i firmosur në Londër në dhjetor të 2014-s, nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe homologia e atëhershme e tij Theresa May, aktualisht kryeministre e Britanisë.

Ndërkohë, pranë Ambasadës Shqiptare në Londër është atashuar edhe një oficer kontakti i policisë shqiptare, për të bashkëpunuar me policinë britanike.

Emigrantët ilegalë shqiptarë thuhet se paguajnë deri në 7 mijë stërlina për të kaluar ilegalisht në territorin britanik, edhe pse autoritetet e Emigracionit i kanë shtrënguar së tepërmi procedurat e azilkërkimit.

Top Channel