VV, 10 vjet protesta. Albin Kurti: Do vazhdojmë, nuk heqim dorë

11/02/2017 00:00

Albin Kurti zgjodhi Tiranën për të përcjellë mesazhet e lëvizjes Vetëvendosje në 10-vjetorin e protestave për respektimin e kufijve të Kosovës dhe bashkimin kombëtar.

Në një sallë ku u bënë bashkë aktivistë të ardhur nga Prishtina, por edhe nga Tirana u shfaq dokumentari “10 Shkurti”, ku pasqyrohen protestat dhe përleshjet me policinë kosovare.

Në intervistën për Top Channel, Kurti tha se Vetëvendosja nuk i pranon presionet e fundit të Brukselit për të pranuar miratimin nga Kuvendi i Kosovës të marrëveshjes për vijën kufitare me Malin e Zi.

“BE ka dy kërkesa për Kosovën për liberalizimin e vizave. E para është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. E dyta, nënshkrimi i vijës së demarkacionit me Malin e Zi. E dyta nuk është e drejtë sepse Malit të Zi iu liberalizuan vizat dhe nuk iu vu kusht vija e demarkacionit me Kosovën”, deklaron Kurti.

Top Channel: A do të ketë më gaz në Parlamentin e Kosovës, apo do ndryshoni qëndrim?

Albin Kurti: Kjo nuk varet nga ne, por nga qeveria. Ne urojmë që të mos na sjellin një marrëveshje të tillë që gjymton territorin dhe në të njëjtën kohë Kosova humbet kurrizin e vargmalit, burimet ujore, por dhe bukuritë natyrore.

Top Channel: Po nëse marrëveshja kthehet për miratim?

Albin Kurti: Ajo marrëveshje ka vdekur dhe ne nuk lejojmë ringjalljen e saj.

Top Channel