Interkonjeksione private, qeveria detajon rregullat e investimeve

11/02/2017 00:00

Edhe privatët mund të investojnë në Shqipëri në ndërtimin e linjave të interkonjeksionit të tensionit të lartë me vendet e huaja. Qeveria ka detajuar rregullat se si mund të investohet në këto linja private. Investimi duhet të jetë krejtësisht i ri, jashtë rrjetit ekzistues  të Operatorit të Sistemit të Transmetimit.

“Pikat që parashikon vendimi është që ky interkonjektori zotërohet nga një person juridik, ligjërisht i ndarë nga OST dhe të gjitha shpenzimet  për ndërtimin dhe lidhjen e interkonjektorit të ri me sistemin e transmetimit mbulohet nga investitori. Pra, nuk flitet për sistemin e transmetimit ekzistues, por për të rejat, qoftë për OST-në, qoftë për privatët”, tha Agim Bregasi, drejtor i Energjetikës, MEI.

Por a ka Shqipëria hapësira për vepra të tilla në kushte kur linjat e interkonjeksoinit me vendet kufitare në rrugë tokësore janë ndërtuar ose po ndërtohet nga OST? Investimi më i  mundshëm mbetet linja detare me Italinë. Interes ka pasur dhe më parë, por një interkonjeksion duhet të lidhet me një burim që rrit fuqishëm kapacitetet prodhuese në vend. Parqet e energjisë nga era janë një mundësi e mirë.

“Ka pasur interes dhe për ndërtimin e linjave me vendet fqinj, sidomos me Italinë që natyrisht përbën një rezervë ku mund të shitet energjia elektrike pasi Italia është gjithnjë në kërkesë të energjive”, thotë Bregasi.

Me një tjetër vendim qeveria i ka hapur rrugë edhe ndërtimit të linjave të brendshme direkte nga privatët. Edhe këtu investimi duhet të jetë i ndarë nga rrjeti i OST.

Top Channel