PD: Krimi po dominon vendin me bekimin e Ramës

11/02/2017 00:00

Partia Demokratike, përmes sekretares për marrëdhëniet me publikun, Grida Duma ka denoncuar situatën e rëndë në të cilën ndodhen rendi dhe siguria në vend, pas ngjarjeve të fundit kriminale.

Në një prononcim për mediat, Duma ka folur për një valë kriminaliteti prapa të cilës fshihet sipas saj regjia e pushtetit.

“Krimi po dominon rrugët, shtëpitë, aeroportin e vetëm kombëtar të vendit dhe portin e Durrësit. 8 tonë drogë kanë kaluar në portin e Durrësit, me bekimin e shefave, që kanë marrë pjesën e tyre. Në rrugën për në Rinas janë grabitur 3 milionë euro, mbrëmë një dyqan u grabit në kryeqytet dhe një tjetër në Elbasan. Ku është rendi dhe qeveria?”, ka thënë Duma.

Ajo ka akuzuar ministrin e Brendshëm se ka hequr dorë nga garandimi i rendit dhe sigurisë për qytetarët, duke dalë në shërbim të segmenteve kriminale.

“Në këtë tablo del Tahiri i Ramës dhe na thotë që e kanë fajin të tjerët. E ka fajin populli, kultura, videoklipet, sipas tij, por ata vetë nuk kanë asnjë faj. Duke qenë kështu, populli e kupton sa nuk i bëhet vonë Ramës për qytetarët”, ka thënë Duma, e cila ka përsëritur apelin e opozitës për protestën e 18 shkurtit.

“Jemi sot këtu për të paraqitur një kaos, të dirigjuar nga krimi i pushtetit. Shqiptarët e dinë që për të qenë të sigurtë është një e drejtë themeltare. Ne jemi para një vendimi të madh, që më 18 shkurt të nisë një erë e re”, ka thënë Duma.

Top Channel