Basha në Durrës: Kemi zgjidhje për të rinjtë dhe vendin

11/02/2017 00:00

Pas një takimi me të rinj demokratë në Durrës, kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi se në paketën e zgjidhjeve të opozitës për të nxjerrë të rinjtë dhe vendin nga depresioni përfshihet edhe anullimi i ligjit “Për arsimin e lartë” dhe punëzënia e të rinjve.

“Sot duam të japim një mesazh për të gjithë të rinjtë dhe qytetarinë durrsake, një mesazh jo përmes retorikës boshe dhe gënjeshtrave po me zgjidhje konkrete duke nisur nga anullimi i ligjit për arsimin e lartë, investime në Universitetin dhe sistemin arsimor të Durrësit, stazhe 1-vjeccare me pagesë nga buxheti i shtetit për të diplomuarit që të aftësohen e bëhen pjesë e tregut të punës, me taksa të ulëta, pensione. PD është e gatshme të marrë peshën për të larguar Durrësin dhe durrsakët nga buza e greminës ku e ka çuar Rilindja e mashtrimeve, e 300 mijë vendeve pune, shëndetësisë falas”, tha Basha.
 
Duke u ndalur në rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Basha shprehu bindjen se vetëm përmes tyre shqiptarët do të marrin fatet e tyre në dorë dhe bëjnë ndryshimin.

“Zgjedhja të lira e të ndershme është apeli me të cilin shqiptarët bashkohen më  18 shkurt. Askush nuk duhet të largohet nga Shqipëria dhe Durrësi, pasi me zgjidhje të lira e të ndershme do të votojnë ndryshimin. Nuk do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me banda e kriminelë, as me politikanë të korruptuar. Më 18 shkurt së bashku për ndryshimin pasi Shqipëria nuk mund të vazhdojë kështu. Ata ndërtojnë vela 6 milion dollarëshe dhe 3 milion i fusin në xhep. Ata marrin koncensione qindra million dollarëshe, ndërsa rinia qëndron rrugëve. Rinia durrsake është në këmbë”, u shpreh ai.

Nga Durrësi Basha premtoi se me votën për opozitën, pas zgjedhjeve, shqiptarët do të kenë një qeverisje dhe një kryeministër të qytetarëve.

Top Channel