Itali, kapen 8 tonë hashash të nisura nga portet shqiptare

11/02/2017 00:00

Kishte zbritur me traget në portin e Ankonës, me një ngarkesë rekord prej 8 tonë marijuanë. Por udhëtimi i 38-vjeçarit maqedonas të arrestuar në Itali në bordin e  kamionit me rimorkio të mbushur me kanabis duhet të ishte më i gjatë se kaq, edhe pse destinacioni final i tij nuk dihet ende.

Trageti me të cilin e kishte ndërmarrë udhëtimin ishte i linjës Shqipëri-Itali. Planet e maqedonasit për të lëvizur i padiktuar nuk u përmbushën dot, pasi forcat policore të Ankonës, me ndihmën e kolegëve të tyre të Venecias po e mbanin nën vëzhgim kamionin e tipit “TIR” menjëherë pas mbërritjes në Itali dhe patën mundësinë ta lokalizonin në kohë reale.

Ka shumë mundësi që efektivët të kenë qenë në dijeni të faktit që kamioni transportonte drogë, por e kanë lënë të kalojë sepse kanë dashur të mësojnë ku do të bëhej dorëzimi.

Ata e kanë ndjekur në distancë për disa orë rresht. Mjeti në fillim kishte marrë rrugën drejt Milanos, por pastaj ka ndërruar drejtim duke lëvizur për në Venecia.

Me të ndaluar në një pikë servisi, shoferi ka braktisur rimorkion, ndoshta sepse e ka kuptuar se diçka nuk shkonte, ose mbase ai ishte vendi ku lëndën narkotike duhet të vinte e ta merrte dikush tjetër.

Në momentin që efektivët arritën të ngjiteshin në bord, nuk që e vështirë të diktonin ngarkesën e paligjshme, e cila ishte vendosur mes lastrash polisteroli.

38-vjeçari u ndalua në aksin Venezia Est, ku po i hynte autostradës që çon në Trieste, duke ndjekur sipas gjasave rrugën tokësore për t’u rikthyer në Shqipëri.

Forcat italiane të rendit gjurmojnë periodikisht sasi të mëdha marijuane që hyjnë në Itali përmes linjës së trageteve, e cila lidh Shqipërinë me portin e Ankonës.

Top Channel