Roli i diplomatëve të huaj perëndimorë në rajon ka një traditë dhe fërkime mes politikanëve lokalë dhe ambasadorëve amerikanë ka patur herë pas here.

Kështu komenton Stefan Lehne, ekspert për politikën e jashtme të BE-së në fondacionin e njohur “Carnegie Europe”, lidhur me akuzat e ngritura ndaj ambasadorëve amerikanë në Ballkan për ndërhyrje në politikat e brendshme.

Sipas tij, roli i diplomacisë ndërkombëtare nuk është aq i fortë sa në vitet ‘90, edhe pse ndikimi mbetet i madh mes përpjekjeve të këtyre vendeve për t’u integruar në BE.

“Kosova ka qenë protektorat, Bosnja-Hercegovina po ashtu. Kjo trashëgimi mesa duket vazhdon ende. Por faktikisht ky rol ka ardhur duke u zvogëluar e natyrisht forcat e ndryshme politike në rajon bazohen si edhe më parë tek mbështetja e personaliteteve të huaja, por edhe profilizohen në kurriz të tyre”, thote analisti në intervistën e dhënë për DË.

Lidhur me ndryshimet që mund të sjellë presidenca Trump, Lehne mendon se me shumë gjasa Ballkani nuk gjendet në prioritetet e administratës së re.

“Ata kanë shqetësime të tjera, Kina, Meksika, Rusia dhe Ballkani zë një vend të vogël aty”, vijon më tej analisti, që sugjeron se me Clintonin gjërat mund të ishin ndryshe edhe për shkak të përvojave të saj personale.

“Si gruaja e ish-Presidentit amerikan në vitet 90-të, ajo mund të kishte pasur një lidhje më të fortë me këtë rajon”, thotë Lehne.

Nën udhëheqjen e Donald Trumpit, sipas tij, do të ketë më pak angazhim sa i përket Ballkanit, ndërsa marrëdhënia e SHBA me Rusine mund të ketë ndikime edhe pse jo të drejtpërdrejta në politikën e këtij rajoni.

E megjithatë, analisti nuk pret ndryshime rrënjësore të tilla si distancimi nga mbështetja tradicionale për Kosovën.

Top Channel