Reparti RENEA është pajisur me armë dhe mjete të reja ndërsa shpejt do jetë edhe në ambientet e reja që po ndërtohen me një investim prej 4 miliardë lekësh. Ministri Tahiri duke folur nga ambientet e elitës së policisë shqiptare tha se shpejt policia do zbardhë grabitjen e parave në rrugen e Rinasit.

“Të jeni të bindur që siç kemi zbardhur ngjarje të tjera do e zbardhim dhe këtë. Policia e Shtetit nuk dorëzohet dhe as intimidohet nga sulmet publike. Detyrën e ka bërë dhe atëherë ku përveç kriminaliteti në rrugë ka pasur dhe banditizëm në Parlament. Aseti ynë i çmuar është besimi i qytetarëve, angazhimi, forcimi i kapaciteteve njerëzore. Policia do të bëjë detyrën dhe do ta zbardhë këtë ngjarje, siç ka bërë me ato të kaluarat”, tha ministri Tahiri për mediat.

Nga hetimet e deritanishme Top Channel ka mësuar se policia ka disa dëshmi të banorëve të zonës por edhe të punonjësve të policisë, të cilët kanë hedhur dritë mbi mjetin me të cilin dy grabitësit janë larguar pasi kanë djegur makinat me të cilat realizuan grabitjen.

Ndërkohë nga marrja në pyetje e punonjësve të policisë private, tashmë të arrestuar është mësuar se thesi që mbante gps dhe që u gjet poshtë sediljes së parë në blindin që u grabit, nuk kishte valutë, por letra pa vlerë.

Një thes i tillë vendoset mes thasëve me valuëe, si karrem për të zbuluar vendodhjen e parave në rast grabitjeje. Por punonjësit e policise private kanë deklaruar pas arrestimit se thesin me GPS e kishin lënë poshtë sediljes që të mos e ngatërronin kur do të dorëzonin valutën.

Gjithashtu është mësuar nga dinamika e ngjarjes se të dy mjetet që realizuan grabitjen kanë ardhur nga pas blindave të policisë private dhe jo nga përpara. Gjithnjë sipas dëshmisë së punonjësve të ndaluar, grabitësit kanë qënë mjaft agresivë në veprimet e tyre duke qëlluar me armë dhe mjete të forta, dhe se ishin të gatshëm të kryenin çdo gjë që të realizonin qëllimin.

Top Channel