Berat, zhduket 47-vjeçari, familjarët e kërkojnë në lumë

11/02/2017 00:00

Katër ditë pas zhdukjes së 47-vjeçarit Jani Vrushaj, i cili u kthye nga Greqia në fshatin Poshnje, kanë nisur kërkimet në lumë për gjetjen e trupit të tij.

Gjetja e xhaketës se tij në lumë dhe disa gjurmë të tjera në breg të hedhin dyshimet se babai i dy fëmijëve i ka dhënë fund jetës duke u mbytur.

Familjarët po vijojnë kërkimet, ndërsa vjehrri i tij, Vasil Kanaçi shprehet se që prej ditës së martë kanë bërë edhe denoncimin në polici.

“Është dita e katërt sot që është hedhur. Kemi gjetur vetëm xhaketën atje dhe gjurmët e këmbës tek vendi ku është hedhur. Kemi njoftuar që të martën në polici dhe deri më sot nuk kanë bërë asgjë. Janë të zënë polumbarët. Kemi kërkuar që me anë të telefonit të gjendet vendndodhja e telefonit”, thotë Kanaçi.

Jani Vrushaj ka hyrë në Shqipëri mëngjesin e së hënës. Ai vinte nga Greqia ku jetonte e punonte prej disa vjetësh së bashku me familjen.

Top Channel