Vokshi: Barrikadë për rrëzimin e qeverisë së bandave

11/02/2017 00:00

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetja Albana Vokshi u takua me drejtueset e LDG- se Lezhë, Mirditë dhe Kurbin nga ku bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 18 shkurtit në Tiranë për të rrëzuar qeverinë dhe për të çuar Shqipërinë, sipas saj, drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Me politikat korruptive në arsim, të rinjtë dhe te rejat e talentuar ngelën pa shkollë. Me shkatërrimin e administratës , gratë profesioniste u hoqën nga puna dhe u përndoqën politikisht. Gratë kryefamiljare dhe viktimat e dhunës u lanë pa mbrojtje sociale dhe ligjore. Pensionistët i detyruan të hapin procese gjyqësore për të vërtetuar vitet e punës në diktaturë. Afro 30 % e popullësisë emigroi prej varfërisë dhe për arsye sigurie. Rama me axhendën e korrupsionit vodhi buxhetet publike, rriti taksat dhe cmimet, falimentoi biznese dhe monopolizoi sektorë strategjikë. Ndaj të ngrihemi të gjithë bashke në 18 shkurt në portestën e pandalshme: qëllimi final, pushteti t’i kalojë popullit, kjo është demokracia”, tha ajo.

Deputetja Vokshi e quajti hipokrizi propagandën e Kryeministrit me historitë e ish sigurimit të shtetit. Vokshi tha se Rama është pasardhës i atij regjimi dhe i kërkoi  të tregojë se kush firmosi për ekzekutimin  e poetit Havzi Nela.

“I bëj kërkesë Edi Ramës që bashkë me dosjen e Musine Kokalarit të hapë edhe dosjen e Havzi Nelës dhe të tregojë se kush ka firmosur për ekzekutimin e tij”, tha ajo.

Top Channel