SHBA, protestuesit nuk lejojnë Sekretaren e Arsimit në shkollë

10/02/2017 00:00

Sekretarja amerikane e Edukimit, Betsy DeVos nuk e ka nisur me këmbën e mbarë detyrën e saj të re, pasi një grup protestuesisht nuk e lejuan që të hynte në një shkollë në Uashington.

Protestuesit, mes të cilëve prindër dhe anëtarë të Sindikatës së Mësuesve të Uashingtonit, e pritën ministren në derën e shkollës dhe, kur ajo tentoi të hyjë brenda, ata nuk e lejuan.

Pa bërë asnjë koment, DeVos u kthye pas dhe u largua me makinën e saj. Vizita e planifikuar në shkollë u krye pak kohë më pas, pasi protestuesit u larguan.

Përmes një komunikate, Sekretarja e Edukimit Devos tha se mbështet protestat paqësore dhe se nuk do të tërhiqet nga misioni jetësor i Departamentit të Edukimit.

Betsy DeVos ishte emri më i kundërshtuar i zgjedhur nga Trump, pasi shumë njerëz mendojnë se ajo, me pikëpamjet që ka shfaqur, nuk do t’i shërbejë aspak sistemit arsimor në SHBA.

Gjithsesi, dy ditë më parë, me votat e republikanëve ajo mori emërimin, ndërsa parashikohet që do të ketë telashe të tilla të ngjashme gjatë ushtrimit të detyrës së saj.

Top Channel