Kategoria Superiore, Partizani ndalet nga Teuta

10/02/2017 00:00

Partizani nuk ia del dot të marrë 3 pikët në ndeshjen ndaj Teutës, në Kategorinë Superiore. Në “Niko Dovana” të Durrësit, sfida që hapi javën e 21-të të Superiores përfundoi në barazim 0-0.

Si Teuta, ashtu dhe Partizani i patën mundësitë e tyre për shënim, por nuk mundën të shfrytëzojnë rastet e krijuara.

Në pjesën e parë, Ekuban ishtë ai që krijoi më shumë për Partizanin, por durrsakët iu kundërpërgjigjën fillimisht me Hilën, që u ndal nga Hoxha e tranversa, e më pas me Prognin, i cili gaboi nga një distancë shumë pranë portës.

Në pjesën e dytë, Magani tentoi për Teutën, por edhe në këtë rast Hoxha shpëtoi portën e tij. Në minutat e fundit, Partizani kërkoi të ndëshkojë durrsakët, por pa sukses.

Ndeshja u mbyll me rezultatin 0-0, me skuadrat që dolën nga fusha e lojës me nga 1 pikë, gjë që nuk e kënaq aspak Partizanin, që sheh se ky barazim favorizon më shumë Kukësin, me verilindorët që të shtunën do të luajnë ndaj Tiranës.

Të shtunën do të luhen edhe ndeshjet Skënderbeu-Laçi e Vllaznia-Flamurtari. Java e 21-të e Kategorisë Superiore do të mbyllet me sfidën Luftëtari-Korabi, që do të luhet ditën e diel.

Top Channel