Tirana më pak e ndotur, Veliaj: Denoncim ndotësve

10/02/2017 00:00

Në analizën vjetore të ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit, Veliaj i kërkoi punëtorëve të saj të bashkëpunojnë me administratorët për të ndëshkuar ndotësit nëpër lagje.

“Në momentin që i identifikojmë mbushim të gjitha posterat e Tiranës dhe themi: ja këta janë zhulsat e kryeqytetit. Nuk mundet që 1 përqind e popullsisë të shkatërrojë qytetin për 99 përqind të tjerët”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Një nga ndotësit kryesore të qytetit janë qeset prej plastmasi që merren nga qytetarët po duket se tanimë do të ndalohen që në prodhim.

“Duke filluar nga kjo verë do të vendosim politika strikte. Fillimisht qeset nëpër supermarkete do të bëhen me pagesë. Jo për fitim, por për t’i dekurajuar njerëzit që të mos i blejnë fare. Deri sa të shkojmë në një ndalim përfundimtar të qeseve të plastikës që nuk janë të degradueshme në Shqipëri”, thotë Veliaj.

Por shtatë ditë para protestës së Partisë Demokratike, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, ka paralajmëruar për të bërë kujdes me ndotjen e qytetit, duke kujtuar gjobën me të cilën u ndëshkua njëherë Partia Demokratike.

“Nuk do të hezitojmë që nga një njeri i papërgjegjshëm deri te një parti politike në Parlament që ndot qytetin e Tiranës, do të paguaj dënim sepse është e vetmja mënyrë që ne mund të ruajmë seriozitetin dhe higjienën qytetit tonë. Fakti që një përti politike është dënuar për ndotje me vendim gjykate do të thotë se kemi vendosur një standard nga i cili Tirana nuk do të bjerë kurrë”, tha Veliaj.
 

Top Channel