Përkujtohet revolucioni, presidenti i Iranit: Trump është fillestar

10/02/2017 00:00

Presidenti i Iranit Hassan Rouhani, gjatë një mitingu në përvjetorin e Revolucionit Islamik në Teheran, nxiti elitën iraniane të ndarë në fraksione që të bashkohet, ndërsa shtohet tensioni me Shtetet e Bashkuara.

“Në të gjithë botën, siç edhe në SHBA, fillestarët kanë marrë pushtetin. Por ata duhet të dinë se me Iranin duhet të flasin me respekt dhe nderim. Ne do të përballojmë çdo kërcënim dhe rrezik me mençuri, rezitencë dhe forcë”, tha Hassan Rouhani, presidenti i Iranit.

Presidenti Rouhani foli para mijëra njerëzve në sheshin “Azadi”, ndërsa me qindra e mijëra të tjerë organizuan mitingje të ngjashme në qytete të tjera, jo vetëm për përvjetorin e revolucionit, por edhe kundër Donald Trumpit.

Shumë slogane shkruanin “Vdekje Amerikës”, ndërsa të tjerë falënderonin me ironi Trumpin që tregoi fytyrën e vërtetë të Shteteve të Bashkuara.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Iranin për testet e raketave dhe vendosën sanksione të reja ndaj tij. Republika Islamike i dënoi këto akte të Amerikës dhe tha se nuk do të ndalojë programin e saj të raketave.

Top Channel