Basha-të rinjve: Të bashkohemi më 18 shkurt. Arsimi juaj, prioriteti im

10/02/2017 00:00

Lulzim Basha i ftoi të rinjtë t’i bashkohen protestës së 18 shkurtit, me premtimin se akti i tij i parë si kryeministër do të jetë anulimi i ligjit të arsimit të lartë dhe pagesa për 10 mijë stazhe në vit për të sapodiplomuarit, me vlerë 4 milionë euro në vit.

“Më 18 shkurt do ushtrojmë të drejtën tonë fisnike, si qytetarë, që fatin ta marrin në dorë qytetarët. Ne nuk pranojmë zgjedhje të vjedhura nga politikanë të korruptuar. Më 18 shkurt në Tiranë të mblidhemi në një protestë mbarëpopullore, jashtë kufijve politikë. Të marrim një vendim të madh, që rinia të jetë e përfaqësuar, që rinia të jetë në ballë të kësaj beteje”, deklaroi Basha gjatë një takimi.

Kreu i PD-së kërkoi që rinia, njësoj si 27 vite më parë, të bëhet bashkë për t’i dhënë lirisë të tjera dimensione.

Më herët Basha prezantoi në një takim me biznesin dhe ekspertët e CDU-së gjermane programin ekonomik të PD, duke premtuar rritje të pagës minimale në 320 mijë lekë, ulje të moshës së pensionit, sikurse edhe një platformë sociale për familjet në nevojë.

“Ne parashikojmë që deri në fund të mandatit të parë qeverisës të rrisim minimalisht 33% pensionin minimal dhe të ulim moshën e daljes në pension. Një nga vendimet e para të qeverisë  time do të jetë rritja e ndihmës ekonomike dhe shpërndarja në çdo familje”, premtoi Basha.

Ekspertët gjermanë të CDU-së, me të cilët demokratët po vijojnë konsultimet, vlerësuan programin ekonomik të PD-së, duke e cilësuar atë real, të besueshëm dhe të zbatueshëm.

Top Channel