Paqja “e brishtë” mes Rusisë e Turqisë

10/02/2017 00:00

Ushtria turke ka mohuar t’i kenë udhëzuar në mënyrë të gabuar avionët luftarakë rusë për të bombarduar një ndërtesë në Siri gjatë së enjtes, ku mbetën të vdekur 3 ushtarë turq.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha reporterëve se pilotët rusë ishin “udhëzuar për koordinatat” nga “partnerët turq”. “Nuk duhej të kishte kurrsesi ushtarë turq në ato koordinata”, tha ai.

Por ushtria turke këmbëngul se trupat ndodheshin në atë ndërtesë prej 10 ditësh dhe se Rusia ishte njoftuar mbi pozicionin e tyre që prej së mërkurës.

Dy vendet, të cilat mbështesin palë kundërshtare në luftën civile thuajse 6-vjeçare në Siri, janë duke bashkëpunuar për të zmbrapsur militantët e grupit të Shtetit Islamik nga bastioni i tyre i fundit në provincën e Aleppos.

Luftëtarët rebelë të mbështetur nga Turqia kanë rrethuar Al-Babin duke hyrë nga veriu që prej dhjetorit, ndërsa forcat qeveritare siriane, të mbështetura nga Rusia, janë duke avancuar nga jugu.

Presidenti rus Vladimir Putin i telefonoi me shpejtësi homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, për ta ngushëlluar pas sulmit ajror të së enjtes, nga i cili mbetën të plagosur edhe 11 ushtarë të tjerë turq.

Mëngjesin e sotëm, zëdhënësi i Putinit tha në Moskë se, “shkaqet” e incidentit ishin “të qarta”. “Për fat të keq, kur zhvillojmë sulme ajrore kundër terroristëve, ushtria jonë është udhëzuar për koordinatat nga partnerët tanë turq”, tha Peskov.

Ndërsa zv.kryeministri turk, Numan Kurtulmus tha se sulmi ajror është ende duke u hetuar.

“Sipas të dhënave paraprake të marra prej nesh, ai ka qenë një aksident”, është cituar të ketë thënë ai nga agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”. “Por mënyra sesi ndodhi dhe sesi janë ngatërruar koordinatat do të qartësohet”.

Ushtria turke publikoi më pas një deklaratë që sfidonte komentet e Peskovit dhe theksonte se pozicioni i ushtarëve u ishte komunikuar një ditë më parë të dy oficerëve të ndodhur në bazën ajrore të Hmeymim, të shfrytëzuar nga Rusia në Siri, por edhe ndaj atasheut ushtarak rus në Ankara.

Top Channel