Skënderbeu pret Laçin, Daja: Dua fitoren me lojë të bukur

10/02/2017 00:00

Skënderbeu dhe Laçi vihen sërish përballë njëra-tjetrës, por këtë radhë sfida mes tyre është e vlefshme për javën e 21 të Kategorisë Superiore.

Për trajnerin e skuadrës korçare, Ilir Daja, kjo ndeshje nuk do të jetë e lehtë dhe se futbollistët duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj kurbinasve.

“Edhe Laçi ka fituar në ndeshjet që kemi pasur me ta. Na ka hapur shumë punë edhe në ndeshjen e parë të Kupës që kemi pasur në Laç. Ata kanë lojtarë që gjatë gjithë kohës mund të na vënë në vështirësi nëse nuk jemi të përqendruar gjatë 90 minutëshit të lojës”, u shpreh Daja.

Skënderbeu ka mundur t’i fitojë 2 ndeshjet e fundit në kampionat edhe pse nuk ka bindur shumë me lojën e tij. Trajneri Daja theksoi se do ta kërkojë këtë gjë në sfidën me Laçin pasi fitorja merr më shumë vlerë kur vjen me një lojë të bukur.

“Normalisht që synimi kryesor janë 3 pikët, por nëse kërkojmë një vazhdimësi, atëherë duhet të prodhojmë edhe lojë. Të gjithë lojtarët edhe ata në stol, duhet të jenë të motivuar për takimin. Nuk ka fitore të thjeshtë”, përfundon Daja.

Top Channel