Familjarët e 47-vjeçarit të zhdukur nisin kërkimet në lumë

10/02/2017 00:00

Katër ditë pas zhdukjes së 47-vjeçarit Jani Vrushaj, në Urën Vajgurore, familjarët e tij kanë nisur kërkimet në lumë për gjetjen e trupit.

Gjetja e xhaketës së tij në lumë dhe disa gjurmë të verifikuara në breg hedhin dyshimet se baba i dy fëmijëve mund t’i ketë dhënë fund jetës duke u mbytur.

Familjarët janë mbledhur këtë të premte dhe po kryejnë kërkimet, ndonëse me vështirësi për shkak se po veprojnë me mjete rrethanore.

Vjehrri i Vrushaj, Vasil Kanaçi shprehet se policia, edhe pse është njoftuar për zhdukjen e tij që prej së martës, ende nuk ka siguruar asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij.

“Kemi nisur kërkimet tona në lumë, pasi këtu kemi gjetur xhaketën e tij dhe kemi mësuar se për herë të fundit është parë në këtë vend. Unë kërkoj që të vijnë polumbarët dhe të nisin kërkimet”, tha Kanaçi.

Vrushaj mbërriti mëngjesin e së hënës në Shqipëri nga Greqia, ku jetonte dhe punonte së bashku me familjen e tij. Ai duhet të shkonte në shtëpinë e vjehrrit të tij në fshatin Poshnje, por nuk arriti kurrë atje.

Top Channel