Francë, gjobitet fermeri human. Ndihmonte refugjatë

10/02/2017 00:00

Një fermer francez u gjobit me kusht me 3.000 euro, pasi ndihmoi emigrantët që të kalojnë kufirin franko-italian. Cedric Herrou ka mirëpritur gjithashtu dhjetëra emigrantë në fermën e tij në luginën Roya, në juglindje të Francës.

Shumë njerëz e cilësojnë fermerin 37-vjeçar si një hero dhe, pavarësisht përballjes me drejtësinë, ai është zotuar se do të vazhdojë të ndihmojë emigrantët, diçka që e cilëson si detyrë qytetare.

Prokurori kishte kërkuar 8 muaj liri me kusht për Herrou, por gjykatësi tha se gjoba ishte e mjaftueshme. Edhe vet prokurori në gjyq tha se kauza e fermerit Herrou ishte fisnike, por ligji duhej respektuar.

Herrou është bërë simbol i europianëve të thjeshtë që kanë ndihmuar emigrantët, të cilët ia mbathin konflikteve ose varfërisë në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Qindra njerëz u mblodhën para gjykatës në mbështetje të Herrou dhe, mes sloganeve të ndryshme, ai që binte në sy shkruante “krim solidariteti”.

Aktualisht mësohet se Herrou ka 4 apo 5 emigrantë në fermën e tij. Në gjykatën franceze ka pasur edhe raste të ngjashme si ai i Herrout, por është pikërisht fermeri që ka vëmendjen kryesore.

Top Channel