Indi, deklarata e ministres: Kam torturuar përdhunuesit

10/02/2017 00:00

Kanë shkaktuar mjaft debat komentet e një ministreje në Indi, e cila tha se të dyshuarit për përdhunim i kishte torturuar dhe i kishte bërë të luteshin për jetën e tyre.

Uma Bharti, ministrja e Burimeve Ujore tha se, viktimat e përdhunimeve shikonin ndërsa dhunuesit e tyre rriheshin. Gjatë një mitingu politik në Agra, ajo deklaroi se praktika e torturimit të përdhunuesve, ndërsa viktimat e tyre shohin, duhet përdorur më shpesh.

“Përdhunuesit duhen varur kokëposhtë dhe të rrihen derisa t’u bjerë lëkura, pastaj plagët i duhen lyer me kripë dhe spec djegës”, deklaroi Uma Bharti.

Politikania tha se kur ishte ministre e Parë e Shtetit indian, Madhya Pradesh, nga vitit 2003 deri në vitin 2004, përdorte pikërisht këtë mënyrë. Ajo urdhëronte policët që t’i varnin përdhunuesit me kokën poshtë dhe t’i rrihnin, ndërsa viktimat e tyre shihnin nga dritaret e hapura enkas.

Sipas ministres, nëse një polic nuk pranonte ta bënte këtë, ajo e bindte duke i thënë se, ata që sillen si kafshë nuk kanë të drejta njeriu. Uma Bharti është anëtare e partisë qeverisëse “BJP” dhe komentet e saj për torturën kanë marrë edhe mbështetje.

Krimet ndaj grave janë shumë të shpeshta në Indi dhe kanë tërhequr vëmendjen publike që prej përdhumit në grup dhe vrasjes së një studenteje në Delhi në vitin 2012.

Top Channel