Le Pen kopjon Trumpin. Politikat e tij edhe në Francë

10/02/2017 00:00

Ndërsa shumica e udhëheqësve europianë, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo i kanë sulmuar politikat e Donald Trumpit, drejtuesja e Frontit Nacional në Francë, Marine Le Pen e sheh udhëheqësin e ri amerikan si një shembull që duhet ndjekur.

Emigracioni dhe ekonomia janë pikat e forta të fushatës elektorale të Le Penit, e cila gjatë programit televiziv “L’Emission politique” në “France 2” tha se, një masë e ngjashme me atë të Trumpit për të ndaluar hyrjen e myslimanëve në vend mund të aprovohet shumë shpejt edhe në Francë.

“Nëse do të zgjidhem presidente e Republikës dhe nëse shërbimet franceze të sigurisë do të më thonë se është planifikuar një sulm nga shtetasit e disa vendeve të caktuara, atëherë do të garantoj sigurinë e francezëve”, tha Le Pen.

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë theksoi gjithashtu se do t’i jepte prioritet punësimit të francezëve, duke ndëshkuar përmes taksave, ashtu si Trumpi, kompanitë që vendosin të prodhojnë jashtë vendit.

“Do bëj të njëjtën gjë si presidenti amerikan. Do t’u shpjegoj kompanive se, nëse nuk do t’i ndërtojnë në Francë automjetet e tyre do të duhet të paguajnë taksën doganore për importet”, tha më tej Le Pen.

Pak ditë para tubimit të parë elektoral në Lion, sondazhet sugjerojnë se në raundin e parë të presidencialeve të 23 prillit, euroskeptikja do të arrijë të sigurojë votat e mjaftueshme për të shkuar në balotazh me Emanuel Macron.

Top Channel