Konflikti i interesit, sërish polemika ndaj Trumpit për veshjet e Ivankës

10/02/2017 00:00

Çështja e konfliktit të interesit për presidentin amerikan Donald Trump rikthehet sërish në qendër të vëmendjes, për shkak të një polemike lidhur me aktivitetet e biznesit të vajzës së tij.

Ivanka Trump zotëron një linjë veshjesh për gra, që zinxhiri i dyqaneve luksoze “Nordstrom” refuzon t’i shesë, pasi nuk pëlqehen mjaftueshëm.

Kritikat vërshuan pasi një prej bashkëpunëtoreve më të ngushta të kreut të Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway u shfaq në një emision televiziv, duke ftuar publikun të blejë veshjet firmato të Ivankës.

“Shkoni të blini diçka nga koleksioni i Ivankës. Unë urrej të bëj ‘shopping’, por do të shkoj të blej diçka sot. Po bëj publicitet falas, pasi janë veshje shumë të bukura dhe do të mund t’i gjeni edhe online”, tha Conway.

Edhe vet presidenti kishte ndërhyrë më herët për çështjen, përmes një postimi në “Twitter”, duke sulmuar dyqanet që refuzuan prezantimin e produkteve të vajzës së tij. Përdorimi i llogarisë së Shtëpisë së Bardhë në “Twitter” për të ndërhyrë në një çështje tregtare ku përfshihen familjarë të tij, ka nxitur kritika të ashpra.

Top Channel