SHBA, stuhi e fuqishme bore në verilindje. Zbardhet Nju Jorku

10/02/2017 00:00

Një prej stuhive më të fuqishme dimërore u përplas në verilindje të Shteteve të Bashkuara të enjten, duke sjellë më shumë se 30 cm borë në disa zona, e duke shkaktuar anulimin e mijëra fluturimeve si dhe mbylljen e shkollave.

Me erëra që arritën deri në 80 km në orë, stuhia i ktheu në një pistë të rrëshqitshme rrugët e populluara në qytete të tilla si Nju Jorku, Bostoni dhe Filadelfia.

Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo paralajmëroi qytetarët të tregonin kujdes. “Kam kaluar nëpër rrugë dhe po ju them që janë tepër të rrezikshme”, tha ai.

Manteli i bardhë në Nju Jork mund të arrijë trashësinë e 30 ose 35 centimetrave, ndërsa termometri zbriti në -2 gradë Celsius. Qyteti kishte kohë që përgatitej për të përballuar forcën e natyrës, duke mbyllur shkollat dhe zyrat publike.

2.800 fluturime u anuluan, edhe pse shumë pasagjerë e kanë mësuar këtë vetëm të enjten në mëngjes. Për shkak të borës u mbyll edhe “Pallati i qelqtë” i Kombeve të Bashkuara. Një person ka humbur jetën si pasojë e motit të keq.

Në Aeroportin “JFK” u punua gjatë të gjithë ditës për pastrimin e pistave, por me shumë gjasa do të kalojnë edhe disa orë para se trafiku t’i kthehet normalitetit të plotë. Ndërkohë, aksidente të shumta u shënuan në autostradën nga Filadelfia deri në Boston, e në rruget drejt Long Island.

Top Channel