Futbolli anglez nën hijen e drogës

10/02/2017 00:00

Futbolli anglez është vënë nën hijen e drogës. Në 4 vitet e fundit, 12 futbollistë kanë rezultuar pozitivë në 13 teste antidrogë të kryera, lajm që është publikuar nga tabloidi britanik “Daily Mail”, që mori shkas nga rasti i fundit i zbuluar, ai i Berahinos së Stoke City.

Gjithnjë sipas këtij tabloidi, këto raste janë spikatur për periudhën 2012-2016, me futbollistët që kanë rezultuar se kanë përdorur substanca të tilla si kokaina apo ekstazi. Për momentin, emrat e futbollistëve që kanë përdorur këto lloj drogash nuk dihen, pasi Federata Angleze preferon të tregohet e rezervuar në këtë pikë, me synimin që të ndihmojë këta lojtarë në rehabilitimin e tyre.

Rezultatet e zbuluara i referohen ditëve kur lojtarët e përfshirë nuk kanë pasur ndeshje. Të dhënat flasin se në sezonin 2015/2016 kanë rezultuar 3 futbollistë pozitivë në testet antidroge, 6 në sezonin 2014/2015, 3 në 2013/2014 dhe 1 në 2012/2013.

Vlen të theksohet se Federata Angleze është i vetmi institucion futbolli që kryen kontrolle të tilla ndaj futbollistëve dhe mendohet se deri në vitin 2018 ajo do të arrijë në realizimin e 5000 testeve në sezon.

Top Channel