Paga minimale, “betejë” propozimesh qeveri-opozitë

10/02/2017 00:00

Rritja e pagës minimale për punonjësit e administratës do të shtrihet edhe për ato në sektorin privat. Qeveria thotë se propozimi është diskutuar edhe me grupet e interesit.

“Në javën e ardhshme do të kemi një vendim të Këshillit Kombëtar të Punës, i cili do të vendosë për rritjen e pagës minimale. Paga minimale për punonjësit e administratës është rritur në nivelin 370 mijë lekë të vjetra”, ka deklaruar ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi.

Por, ndërkohë nga opozita ka ardhur një kundërpropozim. “Synimi ynë është që paga minimale të shkojë rreth 32 mijë lekë. Kjo nuk bëhet me dekret. Kush kërkon t’u hedhë shqiptarëve trutë e gomarit duke thënë se paga rritet me dekret është gomar. Pagat i rrit ekonomia, jo kryeministri. Dhe këto 32 mijë lekë do të jenë të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat personale”, propozoi kryetari i PD, Lulzim Basha.

Rritja që propozon opozita është 10 mijë lekë të reja më shumë. Specialistët thonë që lëvizja e tavaneve dhe dyshemeve të tatimeve lëviz gjithë strukturën tatimore, por propozimi i opozitës për pagën minimale mbështetet nga oferta tjetër e saj, ajo e taksës së sheshtë prej 9 për qind.

Top Channel