Dyshimet për pasurinë, deputeti Peza në Prokurori

10/02/2017 00:00

Deputeti Alfred Peza u thirr në Prokurorinë e Përgjithshme për t’u pyetur për pasuritë e tij, për llogari të hetimeve të hapura mbi dyshimet e fshehjes së pasurise, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe falsifikimit të parave.

Procedimi penal u regjistrua pak ditë më parë nga organi qendror i akuzës, pas publikimit në media të dyshimeve për blerjen e aksioneve në bankën “Credins” nga bashkëshortja e deputetit me vlerë 1.13 miliardë lekë.

Jo zyrtarisht thuhet se Peza ka deklaruar se çdo pyetjeje të prokurorisë do t’i bashkangjisë dokumentacionin përkatës.

“Është një procedurë normale që zbatohet në të gjitha çështjet e tilla. Sa i përket hetimit nuk dua të bëj asnjë koment pasi duhet t’i lëmë të gjithë njerëzit që po punojnë të bëjnë detyrën e tyre. Ndërsa sa më përket mua, do të doja të përfitoja nga rasti për të rikonfirmuar se s’ka asgjë të jashtëligjshme në pasurinë time dhe atë të familjarëve të mi”, ka deklaruar Peza për mediat.

Top Channel