Pas takimit me Komisionerin e Zgjerimit, Johannes Hahn, kryetari i BDI-së, Ali Aameti deklaroi se partia e tij nuk do t’ja krijojë Zoran Zaevit mundësinë e marrjes së mandatit nëse nuk ofron një marrëveshje me shkrim për kërkesat e shqiptarëve.

“Pa një dokument të shkruar, LSDM nuk e merr dritën jeshile të BDI-së. Po presim të shohim se çfarë do të na ofrojnë dhe më pas BDI do të mbledhë Kryesinë Qendrore për të vendosur”, u shpreh Ahmeti, duke pranuar se po kryhen takime paralele si me VMRO-DPMNE ashtu edhe me LSDM.

“Është normale të bisedoj me Gruevskin sepse kemi qenë partnerë koalicioni për 10 vjet”, u shpreh kreu i BDI-së.

Ahmeti pranon se Maqedonia është në udhëkryq dhe vendit i duhet një rrugëzgjidhje për të dalë nga situata, por ajo, sipas tij, nuk ka pse të jetë e nxituar.

Kompromisi në kendvështrimin e tij duhet të prodhojë stabilitet, të forcojë paqen, marrëdhëniet ndëretnike, të ofrojë garanci për reformat dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Këto janë parimet e diskutuara edhe në takimin që zhvilloi me komisionerin Johannes Hahn. Zyrtarin europian, partia e tij e ka njohur me pesë opsionet që po shqyrton për daljen nga kriza. Sa u takon bisedimeve me partitë e mëdha, ai nuk jep afate, por nuk përjashton gjithashtu mundësinë që ato të zgjasin nëse nuk gjendet zgjidhja e duhur. 

Top Channel