Grabitja, Tahiri akuzon policitë private dhe bankat

10/02/2017 10:15

Për ministrin e Brendshëm, përgjegjësia direkte për grabitjen e së enjtes është e bankave dhe policisë private. Në një takim me studentë në Elbasan, një ditë pas ngjarjes, Saimir Tahiri tha se është e patolerueshme që miliona euro transportohen pa garantuar minimumin e sigurisë.

“Ngjarja e djeshme është shembulli më i mirë apo pasqyra më e qartë si dështojnë të gjitha hallkat paraprake që duhet të garantojnë siguri, përpara se çështja të shkojë tek policia. U grabit një furgon që supozohej se transportonte në mënyrë të sigurtë paratë e një banke. Ka disa përgjegjës. Por, është e pakonceptueshme për mua që bankat të tolerojnë transportin e vlerave të mëdha monetare pa asnjë rregull sigurie. Me zero siguri. Ashtu siç është e pakonceptueshme për mua që transporti i vlerave të mëdha monetare të mbetet në fatin e disa njerëzve që punojnë në një polici private, duke u paguar me 18 000 lekë dhe këta supozohet të ruajnë miliona euro”, tha Tahiri.

Por, ndërsa firmës së policisë private të sigurisë ju hoq licenca pas kësaj ngjarjeje, Tahiri i çoi një sinjal bankave të nivelit të dyte se, do të ketë kontroll edhe për masat e sigurisë që ato kanë marrë.

“Unë kam pasur para disa ditësh një takim me policitë private. Ankoheshin të gjithë njëzëri se rroga e paguar në një bankë në Republikën e Shqipërisë është 200 mijë lekë të vjetra. Cili qytetar në Republikën e Shqipërisë skllav merr 200 mijë lekë të vjetra? Unë nuk pretendoj apo presupozoj që të kthehet në një hero duke ruajtur paratë e një banke. Askush. Policia sigurisht do marrë të gjitha masat për të gjetur përgjegjësinë, për këdo ka dështuar për detyrën në bankë apo në policinë private”, siguroi Tahiri.

Ndërkohë që hetimet ndaj grabitjes vazhdojnë, identifikimi i automjeteve të djegura është puna kryesore operative e policisë. Makinës Xhip i ishin bërë ndryshime në shasi, duke e rënduar me metal të rëndë. Kërkimi se ku e kanë kryer përshtatjen e automjetit dhe sekuestrimi i kamerave të gjithë subjekteve private në afërsi të Rinasit janë procedurat e kryera në orët e para të së premtes nga policia gjyqësore.

Automjetet nuk kanë patur targa dhe numrat e shasisë njëra prej tyre i ka të ndryshuara. Pavarësisht kësaj, xhipi rezulton të jetë i vjedhur jashtë Shqipërisë. Në automjetet e vjedhura janë gjetur prova të mjaftueshme për identifikim, por ato i janë nënshtruar ekspertizës nëse gjurmët e vlefshme të gjetura janë të grabitësve apo të punonjësve të policisë private që kanë qenë në mjetet e vjedhura.

Tahiri akuzon edhe shoqërinë: E papërgjegjshme!
 
Ministri i Brendshëm e konsideroi të papërgjegjshme shoqërinë. Askush nuk telefonoi policinë, tha ai, por të gjithë filmonin. “Asnjë qytetar nuk njoftoi policinë, pasi shoqëria jonë e portaleve, u kujdes të filmonte ngjarjen”, deklaroi Tahiri.

“Një gjë më bëri shumë përshtypje në ngjarjen e djeshme, nga qytetarët prezentë kishte vetëm një telefonatë, të gjithë të tjerët filmonin ngjarjen për ta nxjerrë në rrjetet sociale apo për ta çuar nëpër portale, apo një telefonatë edhe kjo në fund të grabitjes. Kjo është fatale që një shoqëri të shkojë përpara, duke marrë secili përgjegjësitë e veta. Unë nuk kuptoj askënd prej qytetarëve që kanë qenë aty. Që në mes të zgjedhjes nëse do njoftonte policinë, autoritetet  apo do filmonte për të bërë gallatën e radhës nëpër portale, ka zgjedhur këtë të dytën. Unë nuk kuptoj askënd prej tyre”, tha Tahiri.

Ministri ka kërkuar që shoqëria të zgjohet: “Ky vend nuk bëhet me qytetarë inaktivë si ata dje. Vetëm njëri u kujtua që të lajmëronte policinë. Ky vend nuk bëhet në rast se papërgjegjshmëria është zinxhir dhe ju keni forcën, mendjen, arsyen për të punuar, jo vetëm për vete, por për një qytet më të mirë”.

Tahiri mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Vendore pranë Bashkisë së Elbasanit, ku bëri apel për bashkëpunim dhe rritje të ndërgjegjësimit qytetar.

Top Channel