Vlorë, atentat i përsëritur ndaj 28-vjeçarit. Mbetet i plagosur

09/02/2017 00:00

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në orët e mbrëmjes në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:50 në lagjen “Isa Boletini”, pranë vendit të quajtur “Kali i Trojës”.

Nga të shtënat me armë zjarri ka mbetur i plagosur 28-vjeçari nga Vlora, Arlind Lulushi, i cili sipas policisë ka qenë edhe shënjestra e këtij atentati.

Drejt 28-vjeçarit që punonte në një pikë bastesh është qëlluar nga persona të paidentifikuar disa herë, ndërsa një nga plumbat e ka goditur në pjesën e kofshës, duke i prekur edhe arterien kryesore.

Sipas mjekëve, gjendja e 28-vjeçarit po përmirësohet, por ai ka humbur shumë gjak. Autori ka mundur të largohet duke përfituar nga errësira, por grupi hetimor që kreu në vendngjarje veprimet paraprake po punon për kapjen dhe arrestimin e tij.

Arlind Lulushi nuk është një emër i panjohur për “blutë” e Vlorës, pasi 4 muaj më parë ka qenë objekt i të shtënave me armë po në të njejtin vend. Bëhet fjalë për ngjarjen e datës 3 nëntor, kur fatmirësisht nuk janë shënuar viktima. I arrestuar për këtë ngjarje ka qenë Klodjan Pashaj.

Top Channel