Afganistan, NATO ka mungesë trupash në terren

09/02/2017 00:00

Komandanti i forcave amerikane dhe atyre të NATO-s në Afganistan tha se ka nevojë për disa mijëra ushtarë më shumë për të kaluar ngërçin në luftën kundër talebanëve.

Gjenerali John Nicholson deklaroi para komitetit të Senatit për Forcat e Armatosura se kishte forca të mjaftueshme për operacionet antiterror, por theksoi nevojën për trupa shtesë që duhen për të ndihmuar në stërvitjen e forcave afgane.

Sipas tij, ky boshllëk mund të plotësohet me trupa amerikane apo nga vende të tjera të NATO-s. Megjithëse e cilësoi situatën në Afganistan si në favor të qeverisë, ai shtoi se trupat shtesë duhen për ta garantuar këtë.

Nicholson deklaroi se mungesën e forcave e kishte diskutuar edhe me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Jammes Mattis. Në fjalën e tij, gjenerali Nicholson akuzoi Rusinë dhe Iranin se po përpiqen të pengojnë NATO-n në Afganistan.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë 8.400 trupa në Afganistan, mes 13.300 ushtarëve të NATO-s. Operacionet luftarake amerikane në vend përfunduan zyrtarisht në vitin 2014, por forcat speciale vazhdojnë që t’u ofrojnë mbështetje trupave afgane.

Top Channel