Tentativa për “blerjen” e aksidentit me vdekje

09/02/2017 00:00

“Fiksi” transmetoi mbrëmjen e së enjtes, me zë dhe figurë, takimin e pronarit të firmës më babanë e viktimës. Ai që e ka thirrur babanë e të ndjerit thotë se nuk ka pasur frikë nga kjo punë, se nuk ka qenë punëtori i tij, pasi përndryshe do ta kishte siguruar.

Ai thotë se është thirrur nga Prokuroria, ndërsa i kërkon që duhet të bëjë një dokument te noteri dhe ta dorëzojnë me avokat, sikur djali nuk ka punuar asnjë ditë te Beni (Arben Koçi, personi që është në tavolinë me zotërinë), por te një person tjetër.

“Unë po ta kisha bërë, do ta kisha thënë që unë fëmijën tënd nuk kam dashur ta vras, por ja që ndodhi. Se të erdha në shtëpi dhe të piva kafe”, i thotë Sabriut. Më tej i shton se këtë dokument e pranon Prokuroria dhe gjykata. “Ja çoj unë, se m’i ka kërkuar prokurori”, i thotë Beni.

Ndërkohë, Sabriu e pyet Benin se kush e ka akuzuar, pse është ngatërruar nëse nuk është ai. Më tej i thotë që dokumenti i firmosur te noteri e vërteton këtë gjë. “Këtë ta kërkova unë që të mos mbetet çështja pezull, por të ketë vetëm një rrugë hetimi dhe gjykimi. Edhe po të them që të marrim një avokat që t’i drejtojmë një letër prokurorit të ri për zbardhjen e çështjes”, i thotë Beni, Sabriut.

Top Channel