“Centurioni” i “vetting”-ut, aplikimet deri në mesnatë

09/02/2017 00:00

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin qendror të lajmeve, Avokati i Popullit Igli Totozani dha të tjera detaje mbi çastet e fundit të pritjes, së bashku me personelin e institucionit që drejton, për aplikantët e fundit për institucionet e reja të Drejtësisë.

TCH: Prej disa ditësh ju, por edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian keni shprehur shqetësimin se kishte pak aplikime. Sot, kur ka edhe pak minuta nga mbyllja e zyrave tuaja, sa është numri i aplikimeve?

Totozani: Mund t’iu them se thirrjet, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ambasadorit Lu, dhe delegacionit europian në Shqipëri, ambasadores Vlahutin, kanë pasur një rezultat shumë të rëndësishëm në këtë moment dhe mund të shtoj se kemi rreth 180 shprehje interesi. Preferojmë t’i quajmë shprehje interesi dhe jo kandidatë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, pasi do të duhet ende një javë për të bërë verifikimet për të nxjerrë dy listat në fund të 7 ditëve. Në këtë moment që flasim janë 180 shprehje interesi.

TCH: Çfarë do të ndodhë nesër me këta aplikantë?

Totozani: Nesër fillon punën stafi i Avokatit të Popullit. Natyrisht që mund të vijnë ende aplikues, që po presin në shkallët e institucionit që unë drejtoj, por aplikime mund të vijnë ende me postë, të cilat kanë vulën e ditës së sotme. Nesër fillon puna për verifikimin e dokumentacionit dhe përmbushjen e kritereve për secilin qytetar që ka shprehur interes të realizojë në të ardhmen funksione në institucionet e “vetting”-ut.

Top Channel