Botërori me 48 finalistë, UEFA vendos veton: Duam 16 pjesëmarrëse

09/02/2017 00:00

Formula e shumëdiskutueshme e Botërorit, me më shumë kombëtare finaliste se asnjëherë tjetër, mori “dritën jeshile” nga FIFA, por jo pa polemika.

Europa, që shihet si “lokomotiva” e sportit më popullor në planet, tani ka ngritur zërin për të garantuar vendet e saj në turneun “XXL”, që do të marrë jetë duke nisur nga viti 2026.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin tha se konfederata që ai drejton duhet të përfaqësohet nga të paktën 16 ekipe në një Botëror potencial me 48 finalistë. Propozimi i kreut të FIFA-s u miratua, por pa kaluar në detaje sesi do të bëhet shpërndarja sipas kontinenteve.

Spekulimet e fundit tregojnë se UEFA do të shtojë pjesëmarrjen me 3 vende dhe Ceferin, që zëvendësoi francezin Platini, do të ishte i kënaqur me këtë, por dikton të tjera kushte.

“Ne duhet të jemi realistë dhe të kërkojmë të paktën 16 kombëtare në fazën finale të Botërorit të riformatuar. Duhet gjithashtu të vendosim si kusht, që përfaqësueset europiane të jenë në grupe të ndryshme dhe të mos ndeshen fillimisht mes tyre. Nëse është e vërtetë se kemi më tepër cilësi, atëherë do të kualifikohen të 16 skuadrat”, tha presidenti i UEFA-s.

Reformat e aplikuara nga FIFA pritet të ratifikohen në Kongresin e UEFA-s, që do të zhvillohet më 5 prill në Helsinki.

Top Channel