Basha: Grabitja, rënie e shtetit

09/02/2017 00:00

Lulzim Basha e lexon grabitjen e makinës me para në rrugën e Rinasit si “rënie të shtetit përballë krimit”.

“Grabitja e sotme është tregues i forcës së krimit dhe rënies së shtetit. Kjo ndodh kur qeveria i jep mbrojtje dhe pushtet kriminelevë. Ne nuk mund ta lëmë vendin peng të krimit. Ne do ta shtypim krimin”, shkruan kreu i PD në rrjetet sociale me hashtagun e protestës së 18 shkurtit.

Por nga radhët e opozitës, Basha nuk është i vetmi që ka reaguar. Një status në rrjetet sociale i ka dedikuar edhe deputetja demokrate Majlinda Bregu, njëkohësisht kryetare e Komisionit parlamentar të Integrimit, e cila thekson se shtetformimi ka ikur në drejtim të paditur.

“Në vetëm pak muaj janë 4 akte të rënda kriminale që kanë ndodhur në të njëjtin segment: Qafa e Kasharit-Rinas. Tri vjedhje spektakolare thasësh me lekë dhe një rrahje fizike e biznesmenit libanez. Madje, po këtu ka ndodhur edhe atentati në vitin 2015 ndaj Emiljano Shullazit e të tijve… Edhe sikur Qafa e Kasharit të ishte Gryka e Mezhgoranit dhe jo një rrip rruge me fushëpamje 360 gradë, s’do të kishte qenë kaq e lehtë që brenda pak muajve të vidheshin ditën për diell mbi 15 milionë euro në makinat e bankave, duke e kthyer atë copë rruge kombëtare në pikën më të lakmuar, ku as patrulla e policisë kurrë nuk të kap dot në aksion, as nuk të shqetëson njeri, deri sa të zhdukësh gjurmët e të djegësh dhe makinat. Kështu bëhet shtetshkatërrimi, se shtetformimi ka ikur në drejtim të paditur”, shkruan Bregu.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

“Policët dhe armët duhen për të mbrojtur jetën,pronën dhe paratë e njerëzve. Nëse nuk përdoren për këto, për çfarë tjetër?! Për politikë?!”, pyet ai.

Më herët, një reagim e pati edhe Ben Blushi.

“Vjedhjet e bankave janë kthyer në serial. Shteti shikon dhe bashkëpunon, grabitësit ikin dhe e shikojnë policinë në televizor. Ja pse s’ka vende pune, besim dhe investime të huaja, se nuk ka kush i mbron! Një javë më parë thashë në Kuvend se Republika po bie. Sot kam edhe prova.Thasët e Republikës sonë po vidhen me ndihmën e shtetit!”, thotë Blushi.

Top Channel