I sapokthyeri nga Greqia zhduket, dyshohet se është vetëmbytur

09/02/2017 00:00

Një 47-vjeçar nga fshati Velçan, i njësisë administrative Poshnje në Bashkinë e Urës Vajgurore, ka humbur kontaktet me familjen e tij që prej ditës së hënë, menjëherë pas kthimit nga Greqia ku jeton dhe punon prej vitesh së bashku me familjen e tij.

Jani Vrushaj, baba i dy vajzave, mësohet se ishte kthyer nga Greqia për çështjen e dokumentave dhe në banesën e vjehrrit të tij, në fshatin Poshnje ka lënë vetëm çantat pas mbërritjes nga Greqia dhe më pas është zhdukur. 

I vjehrri i tij, Vasil Kanaçi deklaron se ishte vënë në djeni për ardhjen e tij nga vajza dhe pasi ka parë çantat e dhëndërrit në oborrin e shtëpisë është vënë në alarm.

“Fillimisht e kam telefonuar disa herë dhe telefoni binte, por ai nuk e hapte”, thotë vjehrri i tij.

 Pasi ka dështuar në kërkimet tek të afërimit dhe nuk është lidhur me dhëndrrin nëpërmjet telefonit, ditën e martë, datë 8 shkurt, ai ka mbërritur në komisariatin e policisë së Urës Vajgurore ku ka kërkuar ndihmë për gjetjen e tij. 

Policia e Beratit e pyetur në lidhje me këtë ngjarje bënë me dije se nuk ka pasur asnjë denoncim, ndërkohë që vetëm mesditën e sotme është dhënë një informacion paraprak për humbjen e tij.

Familjarët e tij kan mundur të mësojnë se për herë tëfundit 47-vjeçari është parë në breg të lumit Osum, në vendin e quajtur “Pompat”.

“Menjëherë pasi mësova këtë gjë kam mbërritur vetë në breg të lumit dhe kam gjetur xhaketën e dhëndërit tim në breg të lumit dhe i vetëmpo kërkoj për trupin e tij, pasi dyshoj se ai është mbytur në lum. Ai ishte shumë tip i ndjeshëm dhe pse nuk kishte probleme kam frikë se mund të jetë mbytur në lum për shkak dhe të një gjendje depresioni, nga i cili vuante prej disa javësh”, bënë me dije vjehrri i tij.

Top Channel