SHBA, kryeprokurori Sessions: T’i japim fund emigracionit ilegal

09/02/2017 00:00

Kryeprokurori i ri i Amerikës, Jeff Sessions tha se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund emigracionit të paligjshëm.

Pas betimit në Shtëpinë e Bardhë, i cili u bë nga zëvendëspresidenti Mike Pence në praninë e presidentit Donald Trump, Sessions deklaroi se autoritetet duhet t’i japin fund këtij fenomeni që kërcënon sigurinë publike dhe bën që të ulen pagat e amerikanëve.

Më herët, presidenti Trump i kishte bërë publicitet Jeff Sessions, si një mbrojtës i madh i njerëzve. Sessions, i cili konsiderohet si frymëzimi i Trump për politikat antiemigracion, u emërua pas një serie debatesh të nxehta në Kongres e Senat për dosjen e tij të të drejtave civile.

“Na duhet një sistem i ligjshëm emigracioni. Një sistem që i shërben interesit të popullit amerikan. Kjo s’është e gabuar, nuk është imorale dhe nuk është e papërshtatshme”, tha Jeff Sessions, kryeprokuror i SHBA-ve.

Sessions u zotua gjithashtu se do të adresojë problemin e krimit në vend. 70-vjeçari Sessions tashmë merr drejtimin e Departamentit të Drejtësisë dhe 113 mijë punonjësve të tij, përfshirë 93 prokurorë amerikanë.

Top Channel