Kupa e Mbretit, sërish pa stadium. Madridi “driblon” finalen

09/02/2017 00:00

Konfuzioni pritet të pushtojë sërish trofeun e dytë për nga rëndësia në futbollin spanjoll, me finalen e Kupës së Mbretit që ka nisur të gjenerojë, ashtu si sezonin e kaluar, polemika për stadiumin.

Kur vjen puna te futbolli, në Spanjë veprojnë shpesh gabim dhe ka nga ata kritikë, që i mëshojnë idesë për të caktuar përpara stadiumin pritës, e jo pasi të mësohen finalistët.

Këtë herë në finalen e madhe kanë mbërritur Barcelona dhe surpriza me emrin Alaves, e paniku për të gjetur një impiant pritës mori dhe refuzimet e para.

Stadiumi i Realit të Madridit, “Santiago Bernabeu” ishte një prej mundësive, por ashtu siç pritej, drejtuesit “merengues” kurrë nuk mund të pranojnë cënimin e krenarisë, me Barçën që luan finalen në “shtëpinë” e tyre.

Barcelona do të tentojë që finalja të luhet në “Camp Nou”, por kjo nuk do t’i pëlqente kundërshtarit të tyre, skuadrës së Alaves. Opsioni katalanas është edhe më fitimprurësi dhe më spektakolari, pasi ofron më shumë ndjekës dhe miliona. Por sipas medieve spanjolle, stadiumi “San Mames” i Bilbaos është favorit për organizimin e sfidës së fundit të Kupës së Mbretit.

Vitin e kaluar, një koncert i këngëtarit Bruce Springsteen e la Barcelonën jashtë “Bernabeu”-t, ndërsa këtë radhë justifikimi banal janë punimet.

Top Channel