Gjermani, pritet përshpejtimi i riatdhesimeve

09/02/2017 00:00

Politika e dyerve të hapura e Angela Merkelit duket se ka mbërritur në epilogun e saj, pasi pritet që qeveria gjermane të publikojë masa të reja për të rritur ndjeshëm riatdhesimin e atyre, që kanë dështuar në kërkesën për azil.

Mes masave përfshihen aksesi në telefonat dhe kartat “Sim” të azilkërkuesve për të verifikuar identitetin e tyre dhe gjithashtu një rritje e shumës që u paguhet atyre që kthehen vullnetarisht në vendin e origjinës.

Migrimi është bërë një nga çështje tejet të politizuara në Gjermani para zgjedhjeve të këtij vitit, e sigurisht që Merkel nuk mund të vazhdojë të humbasë mbështetje, siç ka ndodhur deri tani.

Ishte pikërisht një azilkërkues, Anis Amri, që vrau 12 persona në Berlin në dhjetor, një episod që rriti tej mase presionin mbi qeverinë e Merkelit. Kjo e fundit po zhvillon takime me krerët e landeve gjermane, për të diskutuar planin e ri me 16 pika për të përshpejtuar deportimet.

Sipas medieve gjermane, qendra e re e koordinimit të deportimeve do të jetë në Berlin. Qeveria federale planifikon që këtë vit të shpenzojë 90 milionë euro për programet e riatdhesimit dhe riintegrimit.

Përgjegjës për riatdhesimet janë qeveritë rajonale të 16 landeve gjermane dhe kjo është arsyeja, pse Merkel po punon bashkë me to. Thuajse një milion emigrantë mbërritën në Gjermani në vitin 2015, ndërsa politika e dyerve të hapura të Merkelit, ndërkohë që shumë vende europiane i mbyllën, dëmtoi mjaft popullaritetin e saj dhe i dha hov partisë antiemigracion “Alternativa për Gjermaninë”.

Top Channel